rr.’’Makedonija’’nr.19 (ndërtesa e SHT ,,Makoshped’’) contact@ombudsman.mk

Мени

POROSI E AVOKATIT TË POPULLIT ME RASTIN E FILLIMIT TË VITIT TË RI SHKOLLOR

02.09.2024, SHKUP

Avokati i Popullit në fillim të vitit shkollor u uron të gjithë nxënësve një vit të mbarë shkollor, të mbushur me shëndet të mirë dhe lumturi, në të cilin përveç përvetësimit të njohurive, diturive dhe aftësive të reja dhe zgjerimit të atyre të fituara, të jetë një vit i mbushur me fitimin e miqësive që do të bazohen në mirëkuptim dhe respektin e ndërsjellë. Me këtë rast, Avokati i Popullit ju bën apel të gjithë aktorëve të procesit edukativo-arsimor, si dhe prindërve, që të japin një kontribut maksimal në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, duke ju ofruar mbështetjen, vëmendjen dhe kujdesin e nevojshëm, duke u nisur gjithmonë nga interesi më i mirë i fëmijës, duke i respektuar fëmijët si bartës të të drejtave dhe me përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse që kanë të bëjnë me ata, fëmijët.

Avokati i Popullit ju rikujton politikëbërësve të arsimit se arsimi fillor dhe i mesëm është i detyrueshëm dhe falas, ndërsa pajisja me libra, mjete mësimore dhe materiale didaktike, transporti falas i nxënësve, janë vetëm një pjesë e parakushteve për mbarëvajtjen e një procesi arsimor cilësor për të gjithë fëmijët, duke bërë përpjekje maksimale për përfshirjen e fëmijëve nga grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara në arsim, përmes sigurimit të kushteve për pjesëmarrje të rregullt në mësimdhënie.

Monitorimi i gjendjes me arsimin gjithëpërfshirës për nxënësit me aftësi të kufizuara mbetet në fokus të Avokatit të Popullit edhe në vitin shkollor 2024/2025. Rrjedhimisht, Avokati i Popullit vlerëson angazhimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përcaktimin e zgjidhjeve të reja në ligjet për arsimin fillor, të mesëm dhe të mesëm profesional, me ç’rast thekson se çdo ndryshim dhe plotësim në rregullore duhet të jetë në drejtim të respektimit të parimit të interesit më të mirë të fëmijës dhe të drejtat që burojnë nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës dhe Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Në këtë kontekst, duke u nisur nga rëndësia e arsimit për zhvillimin e personalitetit të fëmijës, Avokati i Popullit rikujton detyrimin për të siguruar të drejtën për arsimim të çdo fëmije pa diskriminim dhe mbi bazën e mundësive të barabarta, në një sistem arsimor gjithëpërfshirës në të gjitha nivelet, ndërkohë që fëmijët me aftësi të kufizuara nuk përjashtohen nga arsimi fillor ose i mesëm falas dhe i detyrueshëm për shkak të aftësisë së kufizuar. Njëkohësisht, duhet të sigurohet përshtatje e arsyeshme për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe marrje e mbështetjes së nevojshme, respektivisht masave mbështetëse të individualizuara, në suaza të sistemit arsimor të përgjithshëm me qëllim edukimin e tyre efektiv dhe maksimizimin e nivelit akademik dhe zhvillimin social.

Avokati i Popullit thekson qëndrimin e Komisionit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara pran Kombeve të Bashkuara se „Arsimi gjithëpërfshirës duhet të kuptohet si e drejtë themelore e njeriut për të gjithë nxënësit. Arsimi është e drejtë individuale e nxënësit/fëmijës, jo e drejtë e prindit. Të drejtat dhe përgjegjësitë prindërore në këtë drejtim janë në varësi të të drejtave të fëmijës. Të gjitha masat për mbështetje të nxënësve me aftësi të kufizuara duhet të jenë në përputhje me gjithëpërfshirjen, me synim forcimin e mundësive të këtyre nxënësve për të marrë pjesë në klasë dhe jashtë saj, në shkollë, së bashku me bashkëmoshatarët e tyre, në vend se të ndahen në shkolla të veçanta.“ Në këtë kontekst, Avokati i Popullit apelon për përmbushjen e detyrimit për marrjen e masave në drejtim të avansimit të arsimit gjithëpërfshirës, duke sugjeruar se çdo masë retrograde në këtë drejtim është e palejueshme dhe në dëm të fëmijës.

Avokati i Popullit, duke ju uruar fat dhe një vit të suksesshëm shkollor, apelon tek fëmijët/nxënësit që në radhë të parë të informohen dhe të dijnë drejtat e tyre, ndërsa çfarëdo keqkuptimi eventual ta zgjidhin me shokët e klasës/moshatarët përmes bisedës/dialogut, me ndihmën dhe përkrahjen e shërbimeve profesionale në shkollë. Njëkohësisht, u bën apel prindërve/kujdestarëve dhe mësuesve që të jenë mbështetje e vazhdueshme e fëmijëve/nxënësve në drejtim të identifikimit të rasteve kur nuk respektohen të drejtat e tyre, duke i njohur ata me mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, mes të cilave edhe Avokati i Popullit, si institucion, tek i cili ata mund të drejtohen në çdo kohë për të paraqitur shkelje të mundshme të të drejtave, ndersa Avokati i Popullit, konform kompetencave të tij, do të marrë masa për zgjidhjen e tyre, tejkalimin dhe avansimin e të drejtave të çdo fëmije, në mënyrë të barabartë.

AVOKATI I POPULLIT