rr.’’Makedonija’’nr.19 (ndërtesa e SHT ,,Makoshped’’) contact@ombudsman.mk
KUVENDI I REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT MIRATOI MASAT PËR ZBATIMIN E REKOMANDIMEVE TË AVOKATIT TË POPULLIT
25.12.2024, SHKUP
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e mbajtur më 25 dhjetor të vitit 2024 me propozim të Komisionit për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet bashkësive dhe pas shqyrtimit të Raportit vjetor për shkallën e sigurimit të respektimit, avancimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut për vitin 2023 miratuan gjithsej 34 masa nga 13 fusha për zbatimin e rekomandimeve për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara të përfshira në Raport. Në pjesën e fushës së jurisprudencës:
1. Prokuroritë publike duhet të veprojnë më shpejt dhe të ndërmarrin veprime me kohë, që të mos ketë dyshim dhe frikë se ndjekja penale do të vjetërsohet.
2. Shteti duhet të sigurojë mekanizma për zbatimin konsekuent të dispozitave për parashkrimin e përmbarimit.
3. Ministria e drejtësisë duhet të ndërmarrë veprime për ndryshimin e formës së formularit – Urdhërit për përmbarim dhe në rubrikën e këshillës juridike të përcaktojë/precizojë qartë afatin kohor (ditët) për paraqitjen e Kundërshtimit.. Në pjesën e fushës së institucioneve ndëshkuese-korrektuese dhe edukuese-korrektuese:
1. Ministria e drejtësisë, në bashkëpunim me Drejtorinë për ekzekutimin e sanksioneve dhe drejtuesit e Institucioneve ndëshkuese-korrektuese të marrin masa për tejkalimin e mbipopullimit, si dhe masa për përmirësimin e kushteve të akomodimit në përputhje me standardet për vuajtjen e dënimit me burg dhe masës së paraburgimit, duke respektuar dinjitetin njerëzor të personave.
2. Të ndërmerren masa për ri-ekipimin e institucioneve me personel mjekësor profesional, pajisjen e ambulancave të burgjeve me aparatura përkatëse mjekësore dhe furnizimin e rregullt me barnat e nevojshme. Në pjesën e fushës së financave:
1. Shteti duhet të zbatojë rekomandimin e dhënë në disa raste për të tejkaluar përfundimisht dhe përgjithmonë problemin me konfiskimin e të gjitha mjeteve në të holla gjatë arkëtimit të detyruar (të cilat për qytetarët janë të ardhura në bazë të pagës, pensionit, ndihmës sociale etj.), të miratohen ndryshime dhe plotësime përkatëse të dispozitave të Ligjit për procedurën tatimore dhe Ligjit për tatimin në pronë.
2. Drejtoria e të ardhurave publike duhet të gjejë një zgjidhje për problemin e krijuar me pagesën e kontributeve të sigurimeve sociale për orët jashtë orarit, duke krijuar një mundësi teknike në zgjidhjen programore të programit të pagave (futje e shumës së aktgjykimeve, në formularin - LLMFI).
3. Për të parandaluar huamarrjen e paligjshme, të forcohet mbikëqyrja e Ministrisë së financave lidhur me kushtet në të cilat miratohen kreditë e shpejta. Në pjesën e fushës së mbrojtjes dhe sigurisë sociale:
1. Ministria e politikës sociale, demografisë dhe rinisë, Qendrat për punë sociale, Komisioni shtetëror për vendimmarrje në procedurë administrative dhe procedurë nga marrëdhënia e punës në shkallë të dytë dhe gjykatat administrative të forcojnë bashkëpunimin në drejtim të dorëzimit në kohë të dosjeve dhe dokumenteve në procedurat të cilat udhëhiqen para këtyre institucioneve.
2. Komisionet mjekësore profesionale t'i dërgojnë në kohë konstatimet, vlerësimet dhe mendimet në qendrat për punë sociale për të vepruar pa pengesa sipas kërkesave në procedurat për realizimin e kompensimit për ndihmë dhe përkujdesjen nga një person tjetër. Në pjesën e fushës së autorizimeve policore:
1. Të ndërmerren masa për harmonizimin e Rregullores për mënyrën e shlyerjes së të dhënave nga evidencat policore dhe Udhëzimit për mënyrën dhe metodat e regjistrimit dhe identifikimit kriminalo-teknik të personave dhe kufomave të panjohura me ndryshimet e fundit të Ligjeve në këtë fushë.
2. Të përmirësohet koordinimi ndërmjet Gjykatës penale dhe shërbimeve kompetente të Ministrisë së punëve të brendshme për përditësimin në kohë të urdhrave të kësaj gjykate, me qëllim parandalimin e privimit të paligjshëm nga liria, për shkak të lëshimeve administrative.
3. Sektori për kontroll të brendshëm, hetime kriminalistike dhe standarde profesionale në Ministrinë e punëve të brendshme të kryejë hetime të plota dhe cilësore sipas kërkesave të Avokatit të popullit për rastet në të cilat ka dyshime për shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut. Në pjesën e fushës së të drejtave të fëmijës:
1. Organet kompetente në vazhdimësi duhet të marrin masa për zbatimin pa pengesa të dispozitës ligjore për regjistrimin e detyrueshëm në librin e amzës për të lindurit të çdo fëmije të lindur në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pa marrë parasysh shtetësinë dhe statusin personal të prindërve
2. Të ndryshohet dhe plotësohet Ligji për familjen, në të cilin, në përputhje me Konventën për të drejtat e fëmijës, do të rregullohet ushtrimi i përgjegjësive prindërore ndërmjet ish-bashkëshortëve/partnerëve jashtëmartesor në raport ndaj fëmijës/ve të përbashkët dhe përgjegjësisë së përbashkët të prindërve në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës.
3. Qendrat për punë sociale, kur përcaktojnë dinamikën e takimeve ndërmjet fëmijës dhe prindit me të cilin nuk jeton ose të familjarëve të afërt të fëmijës, duhet të udhëhiqen nga ajo që përfaqëson interesin më të mirë të fëmijës, në çdo rast individual, ndërsa vendimi duhet të shpjegohet në mënyrë të qartë dhe të arsyetuar.
4. Procedurat e nevojshme për shtypjen e teksteve shkollore për lëndët që mësohen në arsimin fillor dhe të mesëm duhet të kryhen në kohën e duhur. Në të njëjtën kohë, veçanërisht duhet pasur kujdes për cilësinë e përmbajtjes së teksteve shkollore, të cilat, për shkak të zbatueshmërisë së njohurive të marra në procesin arsimor, duhet të ofrojnë një qasje interaktive, e cila do të nxisë kreativitetin dhe do të zhvillojë kritikën tek nxënësit. Librat shkollore për të gjitha lëndët duhet t'u dorëzohen nxënësve në fillim të vitit shkollor.
5. Të merren masa për ekipimin e plotë të shërbimeve profesionale në shkollat fillore dhe të mesme, sensibilizimin, aftësimin e mëtejshëm dhe përmirësimin e kompetencave profesionale të të gjithë kuadrit arsimor për punë me nxënësit me aftësi të kufizuara, ndërkohë që edukimi i kuadrit mësimdhënës të jetë përmes prizmit të të drejtave të fëmijëve dhe të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, konform Konventave të ratifikuara ndërkombëtare.
6. Të intensifikohen aktivitetet për miratimin e Ligjit të ri për arsimin e mesëm, me të cilin do të sigurohet një zgjidhje sistematike për asistentët arsimorë si mbështetje në mësimin e nxënësve me aftësi të kufizuara, si dhe të merren masa për miratimin e Ligjit për arsimin dhe trajnim profesional.
7. Duhet të merren masa urgjente për të siguruar arsimin formal dhe të vazhdueshëm të fëmijëve në Entin edukues-korrektues Vollkovia, Tetovë.
8. Ministria e arsimit dhe shkencës duhet të ndërmarrë aktivitete dhe masa të vazhdueshme për të eliminuar mundësinë e segregimit të nxënësve romë nëpër shkolla përmes zgjidhjeve cilësore sistematike.
9. Byroja për zhvillimin e arsimit duhet të vazhdojë trajnimin e mësuesve për temat që kanë të bëjnë me dhunën, ndërsa shërbimet profesionale në shkolla, në bashkëpunim me prindërit e nxënësve, duhet të ndërmarrin masa me kohë për të mbrojtur nxënësit nga dhuna e personelit arsimor apo nga sjellja e papërshtatshme e të punësuarëve/personave zyrtarë.
10. Të ndërmerren masa për zbatimin më efikas të Protokollit të bashkëpunimit ndërsektorial për fëmijët në rrugë, të vendoset sistem i integruar i të dhënave për fëmijët në rrezik – fëmijët në rrugë, i cili do të përmbajë të dhëna statistikore të plota dhe të sakta për fëmijët në rrugë. Të krijohen dhe zbatohen programe për përfshirje aktive në tregun e punës nëpërmjet punësimit të anëtarëve të familjeve të fëmijëve që lypin, si dhe të rritet numri i qendrave ditore për fëmijët në rrezik social/fëmijët në rrugë, kudo që ka nevojë, por edhe të mbështeten Qendrat ekzistuese për qëndrim ditor të fëmijëve të rrugës nga çdo aspekt (profesional, material, teknik).
11. 11. Ministria e arsimit dhe shkencës duhet të nisë iniciativë që do të detyronte mbajtjen e detyrueshme të evidencës dixhitale për studentët me aftësi të kufizuara në të gjitha fakultetet shtetërore dhe së bashku me Qeverinë, Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe inspektoratet kompetente të sigurojnë qasje të fakulteteve për studentët me aftësi të kufizuara, duke përfshirë transportin e aksesueshëm për në dhe nga fakultetet. Në të njëjtën kohë, duhet të ndërmerren masa për sigurimin e literaturës profesionale dhe shkencore në formate të aksesueshme, teknologji dhe pajisje ndihmëse, si dhe asistent administrativ për të mbështetur studentët me aftësi të kufizuara. Në fushën e kujdesit shëndetësor:
1. Qeveria dhe Ministria e shëndetësisë duhet të marrin masa për të trajtuar problemin e mungesës së mjekëve specialistë në disa fusha të mjekësisë, si dhe masa për të siguruar punësimin e personelit të nevojshëm mjekësor dhe trajnimin e tyre në përputhje me tendencat e avancuara mjekësore.
2. Fondi i sigurimit shëndetësor dhe Ministria e shëndetësisë duhet të ndërmarrin aktivitete dhe masa të vazhdueshme për eliminimin e mundësisë për mungesë të barnave dhe terapisë së nevojshme për pacientët, përfshirë ata me sëmundje të rralla, përmes zbatimit në kohë të procedurave të prokurimit. Në fushën e sigurimit pensional dhe invalidor:
1. Të ndërmerren masa të duhura për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor në mënyrë që të eliminohen anomalitë e shkaktuara nga pensioni i përkohshëm invalidor dhe në këtë mënyrë të sigurohet siguri më e madhe juridike për qytetarët.Në fushën e arsimit të lartë:
1. Ndryshimet në Ligjin për arsimin e lartë duhet të bëhen në atë mënyrë që studentët e familjeve me një prind dhe familjet vetëushqyese të përfshihen në kategorinë e personave të liruar nga participimi. Në fushën e mosdiskriminimit:
1. Rregullativa ligjore në bazë të të cilës funksionojnë organet inspektuese duhet të harmonizohet me Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, duke futur dispozita që do t'u japin inspektorateve kompetencë për të ndërmarrë procedurat e duhura edhe pasi të ketë ndodhur diskriminimi ndaj qytetarëve. Në fushën e marrëdhënieve të punës:
1. Kriteret për përzgjedhjen e personelit në fushën e shëndetësisë duhet të rregullohen saktësisht me ligj, gjë që do të parandalojë mosrespektimin dhe abuzimin nga punëdhënësit. Në fushën e marrëdhënieve pronësore dhe juridike:
1. Të ndërmerren masa për krijimin e një sistemi të përbashkët elektronik që do të lidhë të gjitha institucionet e përfshira në procedurën e denacionalizimit (Komisionet e denanacionalizimit, Komisionin për koordinimin e punës së komisioneve që vendosin sipas kërkesave për denacionalizim, Agjencisë së kadastrës së patundshmërive, Avokatit të shtetit, Drejtorisë për çështje pronësore dhe juridike pranë Ministrisë së financave, Arkivit shtetëror, Komunat, Komisionit vlerësues, Komisioni për përcaktimin e funksionalitetit të tokës së pandërtuar ndërtimore dhe gjykatave administrative) me qëllim të shkëmbimit më të shpejtë të të dhënave dhe informacioneve për zgjidhje më efikase të rasteve..
2. Ministria e financave duhet të ndërmerrë masa për rritjen e numrit të të punësuarve në Drejtorinë për çështje pronësore dhe juridike, të nevojshëm për përditësimin e procesimit të kërkesave të qytetarëve, ndërsa Administrata për çështje pronësore dhe juridike, si dhe njësitë e saj organizative, me kohë duhet t’a sigurojnë dokumentacionin sipas detyrës zyrtare nga organet e tjera.
3. Agjencia e kadastrës së paluajtshmërive në vërtetimet për refuzimin e kërkesave të qytetarëve për regjistrim dhe për ndryshime në evidencën kadastrale, të jep informacione të detajuara dhe të qarta për pengesën ligjore dhe arsyet e refuzimit të kërkesës. Në fushën e urbanizmit dhe ndërtimit:
1. Komunat duhet të intensifikojnë aktivitetet për përfundimin e procedurave për legalizimin e objekteve pa leje. Organet e administratës shtetërore dhe institucionet të obligohen, ndërsa të ju rekomandohet njësive të vetëqeverisjes lokale dhe personave me autorizime publike të veprojnë sipas kërkesave, propozimeve dhe ankesave në përputhje me afatet ligjore dhe t'i informojnë qytetarët për rrjedhën dhe rezultatin e procedurës.