rr.’’Makedonija’’nr.19 (ndërtesa e SHT ,,Makoshped’’) contact@ombudsman.mk
AVOKATI I POPULLIT MBAJTI NJË KONFERENCË PËR SHTYP NË TË CILËN PREZANTOI RAPORTIN E VEÇANTË PËR RESPEKTIMIN E PARIMIT KUSHTETUES TË PËRFAQËSIMIT TË DREJTË DHE ADEKUAT PËR VITIN 2023.
10.12.2024, SHKUP
Avokati i popullit, z. Naser Ziberi në konferencën e sotme për media, prezantoi situatën me respektimin e parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të punonjësve në sektorin publik për vitin 2023. „“Në vitin 2023 numri i institucioneve në Republikën e Maqedonisë së Veriut është më i madh për 10 subjekte krahasuar me vitin e kaluar raportues, përkatësisht numri i përgjithshëm i institucioneve në nivel shtetëror është 1335. Nga hulumtimi i kryer gjithëpërfshirës dhe analiza e të dhënave të marra, të përfshira në këtë Raport të veçantë, janë nxjerrë të dhënat se numri i të punësuarve, në nivel të përgjithshëm, në sektorin publik në vitin 2023 është 127.889 persona dhe është ulur për 2.488 të punësuar për dallim nga viti 2022, kur numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik ishte 130.377. Në këtë rast, dua të theksoj se gjatë mbledhjes së të dhënave vetëm 4 subjekte nga numri i cekur i institucioneve nuk dërguan të dhëna për situatën me zbatimin e këtij parimi kushtetues, pavarësisht kërkesës së paraqitur në mënyrë elektronike, dy urgjencave të dërguara shtesë me shkrim, dërgimit të mesazheve elektronike për të ri-kujtuar këtë detyrim, por edhe telefonatave”, tha ndër të tjera, z. Ziberi. Avokati i popullit, z.Naser Ziberi, informoi se me përditësimin e ri të institucioneve, si dhe në bazë të të dhënave të mbledhura për personat e punësuar në këto institucione të sektorit publik, vërehen këto të dhëna: përfaqësimi i Maqedonasve në vitin 2022 në sektorin publik ishte 71,9%, ndërsa për vitin 2023 është 71,6%, që paraqet një rënie prej 0,3% krahasuar me një vit më parë, por u vërejt një rritje për 13,16% krahasuar me popullsinë rezidente të vendit, në krahasim me rezultatet e Regjistrimit të fundit të popullsisë të vitit 2022. Përfaqësimi i Shqiptarëve në vitin 2022 ishte 21,4%, ndërsa këtë vit raportues është 21,7%, që paraqet një rritje prej 0,3%, por është më i ulët për 2,6% krahasuar me popullsinë rezidente të vendit. Komuniteti Turk në vitin 2022 përfaqësohej me 2,1%, ndërsa në vitin 2023 përfaqësimi i tij është 2,2%, që është një rritje prej 0,1%, por është më i ulët për 0,14 % krahasuar me popullsinë rezidente të vendit. Komuniteti etnik Rom dhe Serb kanë të njëjtën shkallë përfaqësimi në vitin 2022 dhe 2023, me ç’rast përfaqësimi i komunitetit etnik Rom është me 1,3% dhe është më i ulët për 1,23% krahasuar me popullsinë rezidente në vend, ndërsa komuniteti etnik Serb është me 1,4%, por është më i lartë për 0,1 % krahasuar me popullsinë rezidente në vend, i njëjtë është rasti edhe me komunitetin Vlleh, i cili gjatë këtyre 2 viteve përfaqësohet me 0,6%, dhe është më i lartë për 0,13% krahasuar me popullsinë rezidente në vend. Analiza e bërë mbi të dhënat e mbledhura tregon se i vogël është numri i institucioneve, enteve, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe subjekteve të formuara prej tyre, të cilat kanë një efekt solid në realizimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, për dallim nga ato të cilat nuk i plotësojnë normat e përcaktuara me ligj dhe të cilat devijojnë nga të gjitha fushat. “Karakteristikë e këtyre institucioneve është se kanë të punësuar njerëz vetëm nga etnia shumica dhe eventualisht nga etnia e dytë më e madhe, dhe nuk kanë ose kanë një numër shumë të vogël të të punësuarve nga bashkësitë rome, turke apo boshnjake. Kur këto të dhëna vehen në korrelacion me rezultatet e Regjistrimit të fundit të popullsisë, arrijmë tek përfundimi se edhe pas më shumë se dy dekadave nga futja e këtij parimi si vlerë themelore e rendit kushtetues, vendi ynë ende nuk ka arritur rezultate adekuate të cilat do ta plotësojnë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat edhe ate tek pjesa më e madhe e bashkësive joshumicë siç është bashkësia shqiptare, turke, rome dhe boshnjake. Të dhënat tregojnë gjithashtu, se ka një përqindje të vogël të përfaqësimit në stafin drejtues të bashkësive etnike më të vogla”, tha, në konferencën për shtyp, avokati i popullit, z. Naser Ziberi.