rr.’’Makedonija’’nr.19 (ndërtesa e SHT ,,Makoshped’’) contact@ombudsman.mk

Мени

PËRFAQËSUES I ZYRËS SË AVOKATIT TË POPULLIT REALIZOI VIZITË STUDIMORE NË REPUBLIKËN E KROACISË

03-07.06.2024, ZAGREB, REPUBLIKA E KROACISË

Përfaqësuesja e zyrës së Avokatit të Popullit – Këshilltarja Shtetërore, zonja Vaska Bajramovska Mustafa, së bashku me njëzet përfaqësues të tjerë të institucioneve të tjera të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ishte pjesë e vizitës studimore në Republikën e Kroacisë. Vizita u organizua në suaza të projektit të Këshillit të Evropës "Arsim cilësor për të gjithë", i financuar nga Republika Federale e Gjermanisë, në bashkëpunim me Rrjetin e Qendrave për Politika Arsimore.

Në delegacion, përveç përfaqësuesit të Avokatit të Popullit, morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të qeverisë, Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi dhe përfaqësues të vetëqeverisjes lokale nga Manastiri dhe Shtipi. Nga këto dy komuna morën pjesë edhe drejtorë dhe mësues të shkollave, me qëllim të shkëmbimit të përvojave nga strategjitë kroate për arsimin gjithëpërfshirës, posaçërisht duke pasur parasysh rezultatin e Aktgjykimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Orshush dhe të tjerë kundër Kroacisë, e cila ndan shumë karakteristika të ngjashme me rastin e Elmazovës dhe të tjerëve kundër Maqedonisë së Veriut.

Pjesë e rëndësishme e vizitës ishte edhe takimi i Delegacionit me Zyrën e Avokatit të Popullit për Fëmijë të Republikës së Kroacisë. Ky takim ishte një mundësi për të hulumtuar mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në kuadrin arsimor, si dhe të kuptohet roli i Avokatit të Popullit gjatë ballafaqimit me pabarazitë arsimore dhe përfaqësimit të politikave arsimore gjithëpërfshirëse.

Gjatë vizitës, Delegacioni u takua me përfaqësues të Ministrisë së Shkencës dhe Arsimit të Republikës së Kroacisë, ku iu bë një prezantim i detajuar mbi arsimimin e romëve në Kroaci, duke theksuar strategjitë dhe politikat që zbatohen për inkurajimin për përfshirje dhe luftimin e segregacionit. Ata gjithashtu patën një sesion me Zyrën për të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtat e Pakicave Kombëtare për të diskutuar mbi Planin Kombëtar për Përfshirjen e Romëve në Kroaci, duke fituar këqyrje të vlefshme të masave qeveritare për kapërcimin e dallimeve arsimore dhe promovimin e përfshirjes.

Gjatë vizitës studimore, pjesëmarrësit, me autoritetet kroate dhe edukatorët, shkëmbyen përvoja të rëndësishme mbi praktikat e mira për krijimin e mjediseve arsimore gjithëpërfshirëse. Kjo vizitë kontribuoi ndjeshëm për përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e praktikave arsimore në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht si përgjigje ndaj vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut tek Elmazova dhe të tjerët kundër Maqedonisë së Veriut, e cila theksoi segregacionin e nxënësve romë.