rr.’’Makedonija’’nr.19 (ndërtesa e SHT ,,Makoshped’’) contact@ombudsman.mk
FUSHATA E AVOKATIT TË POPULLIT PËR NGRITJEN E VETËDIJES PËR PROMOVIMIN E TË DREJTAVE TË FËMIJËVE DHE MBROJTJEN NGA DHUNA E BASHKËMOSHATARËVE
19.11.2024, SHKUP
Avokati i popullit, me mbështetjen e projektit “Përkrahja e BE-së për sundimin e së drejtës” të financuar nga Bashkimi Evropian, në prag të 20 Nëntorit – Ditës botërore të fëmijëve, promovoi videon „“Ta ndërpresim ciklin e dhunës së bashkëmoshatarëve!” e cila është pjesë e fushatës për ngritjen e vetëdijes për promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna e bashkëmoshatarëve. Eventin e hapën Vaska Bajramovska-Mustafa, këshilltare shtetërore në Zyrën e Avokatit të popullit dhe Barbara Liegl, udhëheqëse e komponentit - 4 të projektit "Përkrahja e BE-së për sundimin e së drejtës". “Ky aktivitet i dedikohet fëmijëve dhe të drejtës së tyre për t'u mbrojtur nga çdo lloj abuzimi dhe dhune – theksoi në fjalën e saj përfaqësuesja e Avokatit të popullit. Fushata është një apel dhe një thirrje për veprim për të gjithë – prindërit/kujdestarët, mësuesit, politikëbërësit, por edhe një thirrje për vetë fëmijët dhe të rinjtë, për mediat që së bashku të ndërpresin ciklin e dhunës së bashkëmoshatarëve. “Së bashku mund të krijojmë një mjedis ku respekti, ndjeshmëria dhe solidariteti do të zëvendësojnë dhunën dhe bullizmin”, tha zonja Bajramovska-Mustafa. Fushata inkurajon të gjitha palët e prekura që t'i bashkohen këtij misioni të rëndësishëm për t'i dhënë fund dhunës së bashkëmoshatarëve dhe për të krijuar komunitete të sigurta dhe mbështetëse. Duke kujtuar Konventën për të drejtat e fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, të cilën vendi ynë e ratifikoi 31 vjet më parë, Bajramovska-Mustafa theksoi se është obligim i të rriturve, përkatësisht të gjithë faktorëve në vend, që të sigurojnë një të ardhme të mirë për fëmijët, t’i dëgjojnë fëmijët duke ua mundësuar të drejtën për vetë- shprehje. “Sot, dhe të gjitha ditët e mbetura, duhet të kuptojmë idetë e tyre për një botë më të mirë. T’i inkuadrojmë fëmijët dhe të rinjtë, përkatësisht prioritetet e tyre në planet dhe veprimet për një të nesërme më të mirë. Ndërkaq, një e nesërme më e mirë për çdo fëmijë është të sigurojmë një të sotme të sigurt, pa dhunë, përjashtim dhe abuzime”. Avokati i popullit do të vazhdojë të punojë me përkushtim në përmbushjen e këtij misioni, sepse ndërtimi i vetëdijes dhe të kuptuarit se çfarë do të thotë fëmijët të kenë të drejta dhe cilat janë të drejtat e tyre është pjesë thelbësore e punës sonë, në drejtim të garantimit se fëmijët respektohen, trajtohen në mënyrë të drejtë dhe se të drejtat e tyre mbrohen gjatë rritjes - tha përfaqësuesja e Avokatit të popullit.