11-12-2015
11.12.2015, Shkup
U NËNSHKRUA MEMORANDUMI PËR BASHKËPUNIM ME DISA ORGANIZATA JOQEVERITARE ME QËLLIM TË MBROJTJES SË TË DREJTËS ZGJEDHORE PËR ZGJEDHJET E ARDHSHME TË PARAKOHSHME PARLAMENTARE
Avokati i Popullit nënshkroi Memorandum për bashkëpunim me Asociacionin qytetar ,,MOST’’, Asociacionin për iniciativa demokratike-Gostivar, Qendrën për analiza ekonomike, Ambasadën e parë për fëmijë në botë „Megjashi’’ dhe Qendrën kulturore rinore-Manastir, me qëllim të realizimit të projektit ,,Udhërëfyes drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme’’. Qëllimi i këtij projekti është promovimi dhe mbrojtja e së drejtës zgjedhore dhe monitorimi gjithpërfshirës i periudhës para shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara për muajin prill të vitit 2016.
„Nëse zgjedhjet e lira me votim të fshehtë janë shtylla e demokracisë, atëherë obligim i institucioneve është të sigurojnë kushte për zbatimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pa presione dhe frikësime, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve’’ tha Avokati i Popullit z.Ixhet Memeti në konferencën për shtyp me rastin e nënshkrimit të Memorandumit.
Përndryshe, me këtë projekt çdonjëri prej nënshkruesve nga aspekti i vet do të ndihmojë për realizimin e të drejtës zgjedhore. Gjithashtu, ky bashkëpunim do të kontribuojë edhe për kontroll mbi punën e organeve zgjedhore dhe administratës shtetërore, si dhe për informim më të madh të qytetarëve për mbrojtjen e të drejtës së tyre zgjedhore.
Në këtë mënyrë, Avokati i Popullit përmes hapjes së linjës telefonike falas, ndërkaq konform kompetencave të tij do t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve. Përmes kësaj linje telefonike ata do të mund të paraqiten për çdo cenim të të drejtave të tyre dhe veçanërishtë ato zgjedhore, duke përfshirë presionet dhe kërcënimet.
Avokati i Popullit do të veprojë edhe sipas ankesave të cilat pas pëlqimit të dhënë paraprakisht me shkrim nga ankuesit do t’i dërgohen prej Asociacionit qytetar ,, MOST’’ dhe Ambasadës së parë për fëmijë në botë ,, Megjashi’’.