29-03-2019
Shkup
TAKIM I AVOKATIT TË POPULLIT Z. IXHET MEMETI ME ZNJ. KORIN JONKER, SHEFE E MISIONIT TË OSBE/ODIHR
Avokati i Popullit, z. Ixhet Memeti realizoi takim me znj. Korin Jonker shefe e Misionit Vëzhgues për Zgjedhjet Presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut OSBE/ODIHR - Misioni në Shkup, në të cilin u diskutua për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe për zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të tri komunave, rrethi i parë i të cilave duhet të mbahet më 21 prill.
Në këtë takim theksi u vu në gatishmërinë e Institucionit, në kontekst të mbrojtjes së të drejtës së zgjedhjes, ndërsa Avokati i Popullit, z. Memeti, informoi se për këtë qëllim, nga data një prill do të filloj të funksionoj linja telefonike në të cilën mund të paraqitet çdo lloj cenimi i të drejtës zgjedhore.
Gjithashtu, në kontekst të përforcimit të mbrojtjes së të drejtës së zgjedhjes, Avokati i Popullit e theksoi pikëpamjen e tij për nevojën e bashkëpunimit të përhershëm të institucioneve, me qëllim të reduktimit të parregullsive të cilat paraqiten thuaja se në të gjitha zgjedhjet.
Ai informoi se institucioni Avokat i Popullit edhe më tej vazhdon të konstatoj dobësi në aspekt të azhurnimit të listës së zgjedhësve, si dhe koordinimit të dobët midis Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për zgjidhjen e këtij problemi, ndërkohë që e aktualizoji edhe çështjen e nevojës së përmirësimit të edukimit të organeve të cilët i zbatojnë zgjedhjet.